Dhjetëra-mijëra serbë u mblodhën në heshtje në qendër të Novi Sadit. Protesta nisi në orën 11:52, pra kur u shemb vitin e kaluar çatia. Protestuesit mbajtën 16 minuta heshtje për 16 viktimat.
Incidenti ka shkaktuar lëvizjen më të madhe të protestave në historinë moderne të Serbisë. Studentët që udhëheqin protestat bëjnë me faj korrupsionin shtetëror për shembjen e çatisë së stacionit hekurudhor.
Zgjedhje të parakohshme
Protestuesit kanë kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës si dhe zgjedhje të parakohshme, prej të cilave shpresojnë se mund të largohet nga pushteti Presidenti Aleksandar Vuçiç.

Ndërsa disa zyrtarë janë paditur me akuzën për rrezikimin e sigurisë publike dhe kryeministri dha dorëheqjen në vazhdën e protestave, deri tani asnjë gjykatë nuk e ka konfirmuar aktakuzën, dhe Vuçiçi vazhdon të jetë ende në pushtet.
Të premten (31.10.) autoritetet e bllokuan lëvizjen e trenavepër në Novi Sad, duke thënë se kishin marrë një kërcënim për bombë. Por protestuesit i sfiduan autoritetet, dhe shkuan në Novi Sad me makina, me biçikleta dhe disa madje edhe më këmbë.
Zemra të gdhendura me emrat e viktimave
“Kjo është një tragjedi e madhe për popullin serb. Ne nuk mund t’i kthejmë ata njerëz, por ne e ndiejmë dhimbjen me familjet e tyre dhe themi mjaft më “, tha për agjencinë e lajmeve Reuters Sladjana Burmaz, ekonomiste 51-vjeçare nga qyteti qendror i Valjevës.

Protestuesit mbanin në dorë zemra në të cilat qenë gdhendur emrat e viktimave.
Dijana Hrka, nëna e njërës prej viktimave, vendosi lule nën emrin e djalit të saj në një gardh jashtë stacionit. Ajo njoftoi se do të nisë të dielën një grevë urie në Beograd.
Hrka tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se “dua të di se kush e vrau fëmijën tim. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë.”/DW


