Norvegjia pritet të ndërmarrë një hap të fortë në rregullimin e përdorimit të rrjeteve sociale, duke planifikuar ndalimin e aksesit për fëmijët dhe adoleshentët nën moshën 16 vjeç. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Jonas Gahr Støre.
Sipas tij, një projektligj do të paraqitet në parlament deri në fund të vitit, ndërsa ideja për këtë masë ka qenë në fokus që nga fillimi i mandatit të tij. Nëse miratohet, të rinjtë do të lejohen të përdorin platforma si Instagram, Snapchat dhe TikTok vetëm nga 1 janari i vitit kur mbushin 16 vjeç.
Kjo nismë vjen pas një vendimi të ngjashëm nga Australia, e cila në dhjetor u bë vendi i parë që vendosi kufizime të tilla për përdoruesit nën 16 vjeç.
Masat kanë hapur debate të gjera në nivel ndërkombëtar, në një kohë kur shqetësimet për ndikimin e rrjeteve sociale në shëndetin mendor dhe emocional të fëmijëve janë në rritje.
“Siguria e fëmijëve dhe të rinjve është një nga prioritetet kryesore në planin e qeverisë për Norvegjinë,” deklaroi Støre, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së tyre në hapësirën digjitale.


