Autoritetet spanjolle njoftuan se trupi i një burri 56-vjeçar u gjet i varrosur në baltë, një vit pasi kishte humbur gjatë përmbytjeve shkatërrimtare që goditën juglindjen e Spanjës.
Më 29 tetor të vitit të kaluar, rreth 240 persona humbën jetën kur përmbytjet përfshinë shtëpi, parkingje dhe automjete në periferi të Valencias, qyteti i tretë më i madh i Spanjës. Sipas një gjykate në Catarroja, burri ishte një nga tre personat ende të zhdukur dhe ishte shpallur zyrtarisht i vdekur.
Trupi u zbulua dje gjatë punimeve të tokës në qytetin Manises, rreth 40 kilometra larg nga Pedralba, zona ku ishte humbur, sipas njoftimit zyrtar. Ligji spanjoll kërkon që gjyqtarët të marrin pjesë në procesin e konstatimit dhe identifikimit të trupave të gjetur.
E njëjta gjykatë, e udhëhequr nga gjyqtarja Nuria Ruiz, po heton gjithashtu vonesat në reagimin e shërbimeve të emergjencës gjatë përmbytjeve, të cilat konsiderohen ndër fatkeqësitë natyrore më të rënda në historinë moderne të Spanjës.


