Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka sqaruar se situata e virozave në vend lidhet kryesisht me gripin stinor dhe nënvariantet e tij, të favorizuara nga temperaturat e ulëta të dimrit, duke përjashtuar praninë e një virusi të panjohur apo të ri.
Në një intervistë për News24, Brataj bëri me dije se këtë sezon po qarkullon gripi i tipit A, përfshirë nënllojet H1N1 dhe H1N2, si edhe gripi i tipit 2. Paralelisht, janë prezentë edhe viruse të tjera respiratore, si RSV dhe Covid-19, të cilat përhapen më lehtë gjatë muajve të ftohtë.
“Gripi është vetë virus me nënvariantet e tij. Këtë vit kemi tipin A, H1N1, H1N2, tipin 2, por edhe RSV dhe Covid-19. Madje, këtë vit gripi pati edhe një nënlloj të ri, tipin K, ndaj të cilit nuk jemi plotësisht të mbrojtur,” u shpreh Brataj.
Sipas tij, periudha e gjatë e pandemisë së Covid-19 ka ndikuar në dobësimin e imunitetit të popullatës ndaj gripit sezonal, duke e bërë organizmin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve respiratore.
Sa i përket ecurisë së sëmundjes, Brataj sqaroi se gripi zgjat mesatarisht 7–8 ditë, por në disa raste mund të ketë një ecuri më të zgjatur. Ditët e para shoqërohen me temperaturë të lartë dhe simptoma të forta, ndërsa më pas vërehet përmirësim gradual, edhe pse virusi mund të mbetet ende aktiv.
“Njerëzit shpesh dalin jashtë me mendimin se janë shëruar, por virusi vazhdon të veprojë. I ftohti është armik për indet e dobësuara nga infeksioni dhe kjo e përkeqëson gjendjen,” paralajmëroi ai.
Në përfundim, Brataj këshilloi qytetarët që të tregojnë kujdes edhe pas kalimit të fazës akute të sëmundjes, duke respektuar pushimin, trajtimin e rekomanduar dhe duke shmangur ekspozimin ndaj të ftohtit, pasi gripi kërkon kohë për një shërim të plotë.


