Pas udhëzimit të kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e nënkryetarëve dhe administratorëve të njësive administrative në të gjitha bashkitë e vendit, kanë nisur lëvizjet e para në pushtetin vendor.
Në Malësi të Madhe, kryebashkiaku Tonin Marinaj ka qenë ndër të parët që ka reaguar, duke zbatuar menjëherë udhëzimin e Kryeministrit. Ai ka mbledhur vartësit në një drekë lamtumire, ku ka komunikuar largimin e dy nënkryetarëve dhe disa administratorëve lokalë, duke sinjalizuar nisjen e ndryshimeve në administratë.
Ndërkohë, një situatë tjetër është shfaqur në Pukë dhe Fushë-Arrëz, të cilat drejtohen nga përfaqësues të opozitës. Dy kryebashkiakët demokratë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim, duke deklaruar se urdhri i Kryeministrit nuk ka karakter detyrues për ta.
Lëvizje janë sinjalizuar edhe në Bashkinë e Shkodrës, ku drejtuesit ndodhen në një mbledhje të mbyllur. Deri tani nuk ka pasur një njoftim zyrtar, megjithatë disa ndryshime në nivel administratorësh janë evidentuar.
Ndërhyrje në administratë priten edhe në bashkinë e Vaut të Dejës. Kryebashkiaku Kristian Shkreli pritet të zhvillojë një mbledhje ditën e nesërme me të gjithë drejtuesit e bashkisë për të komunikuar hapat e mëtejshëm.


