Në Pogradec ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore në KZAZ nr. 70, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit. Kryetari i KZAZ-së, Mandi Mekolli, bëri të ditur se procesi ka filluar në orën 09:00 dhe pritet të përfundojë brenda ditës.
Komisionerët e qendrave të votimit janë paraqitur pranë KZAZ-së për të tërhequr materialet që do të shpërndahen në të shtatë njësitë administrative të bashkisë Pogradec.
Një risi e këtij procesi elektoral është përfshirja për herë të parë në votim e grave që vuajnë dënimin në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit në Pojskë. Sipas burimeve nga komisioni, Gjykata ka dhënë një vendim për lejimin e tyre në procesin zgjedhor, i cili pritet të komunikohet zyrtarisht në orët në vijim për të mundësuar zbatimin praktik.


