Muaji që lamë pas shënoi fillimin e aplikimit të çmimit të ri të energjisë elektrike për abonentët familjarë.
Kjo e ndarë në dy kategori: 8.5 lekë për kilovat për abonentët që konsumojnë deri në 700 kilovatorë dhe 9.5 lekë për të gjithë ata që e kalojnë këtë shifër.
Në lidhje me këtë situatë zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga Administratori i OSHEE, Enea Karakaçi dhe ai i OSSH, Blendian Dalipi, inspektoi në terren punën e realizuar nga lexuesit e matësit të energjisë, në mënyrë që qytetarët të marruin një faturim të drejtë.
“Ky është një proces shumë i rëndësishëm. Ne kemi nxjerrë një urdhër të posaçëm ku kemi referuar të gjitha dinamikat e procesit të leximit, datat përkatëse kur fillon leximi si dhe duke përfshirë dhe ato që janë penalitetet, por dhe sesi e zgjidhim ne në qoftë se konsumi është mbi 700 kilovat. Kemi kërkuar që çdo konsum mbi 700 kilovat të ketë foton e vetë transparente në mënyrë që të jemi edhe më afër klientëve për çdo ankesë që mund të kenë”, sqaroi Karakaçi.
Një hap i ri është ndërmarrë në të mirën e qytetarëve. Krahas fotos së matësit mësohet se lexuesi do të dërgojë edhe vendndodhjen e tij.
“Nga ky muaj e në vazhdim janë shtuar filtrat për leximin e faturimit, që do të thotë, në rast se një fotografim i aparatit matës nuk është i qartë nga operatorët në sistem ky lexim nuk kalon për faturim, por i kërkohet edhe një herë lexuesit të rikthehet dhe ta riverifikojë. Foto që dërgohet në sistem, bashkë me gjeolocation, duhet të jenë 100% të sigurta që të konfirmojmë që leximi i matësit korrespondon me leximin e sistemit”, u shpreh Dalipi.
Nga ana tjetër zëvendëskryeministrja Balluku tha se janë ndërmarrë të gjitha masat për të proces sa më të drejtë.
Sipas saj procesi i leximit të matëseve të energjisë do të përmbyllet brenda 8 ditëve, duke llogaritur kështu afatin kalendarik 30 ditë për çdo abonent.
“Ky është muaji i parë që ne do të aplikojmë çmimin, por nga ana tjetër e gjithë procedura është e dizenjuar nga fillimi deri në fund që të jetë transparente. Bazuar në një urdhër të administratorit të përgjithshëm të kompanisë, të OSHEE-së, matja duhet bërë brenda 8 ditëve dhe matja është nga 30 ditë në 30 ditë. Pra nuk do të kalojnë 30 ditëshi, duke e bërë kështu të pakontestueshme mënyrën e matjes dhe saktësinë e saj”, deklaroi Balluku.
Nga ulja e çmimit të energjisë me gati 10.5% bëhet me dije se përfitojnë afro 1 milionë abonentë familjarë në të gjithë vendin,
“Arsyeja pse ne vendosëm që të aplikonim një çmim më të ulët sipas kategorive të konsumit, 8.5 lekë për konsumin nga 0 deri në 700 kilovat/orë është sepse kërkojmë që të sensibilizojmë të gjithë popullatën, të gjithë familjarët të cilët përfitojnë nga kjo paketë mbi 1 milionë abonentë, që energjia është një mall shumë i rëndësishëm, i cili edhe duhet kursyer. Patjetër përdorimi i tij është i domosdoshëm në jetën e përditshme, por kursimi është akoma më i rëndësishëm për shkak edhe të të gjitha kushteve që ne kemi, hidrocentraleve, varësisë nga moti”, nënvizoi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në të gjithë vendin OSSH numëron 870 punonjës me detyrën e lexuesit të matësit të energjisë. Në janar të këtij viti OSHEE shpalli 120 vende vakante në këtë pozicion, ku afati i aplikimit ishte data 5 shkurt. Në këtë thirrje, pranë kompanisë janë paraqitur 532 aplikime.


