Një paralajmërim i fortë vjen nga brenda vetë industrisë së inteligjencës artificiale. Dario Amodei, CEO i kompanisë së njohur Anthropic, thotë se gjysma e vendeve të punës mund të zhduken brenda pesë viteve të ardhshme për shkak të përparimit marramendës të IA-së.
“Inteligjenca Artificiale po bëhet më e mirë se njerëzit në pothuajse çdo detyrë intelektuale,” tha Amodei për CNN, duke shtuar se as politikanët dhe as bizneset nuk janë të përgatitura për valën e re të papunësisë që po afrohet.
Sipas tij, papunësia në SHBA mund të arrijë deri në 20%, një nivel që nuk është parë që nga kulmi i pandemisë COVID-19.
Ndryshe nga frika tradicionale se IA do të prekte vetëm vendet e punës të pakualifikuara, Amodei paralajmëron se profesione të specializuara si juristët, kontabilistët, këshilltarët financiarë dhe programuesit janë gjithashtu në rrezik.
Ai shton se rreth 40% e detyrave që dikur kryheshin nga njerëz tashmë po kryhen nga modelet e IA-së – dhe ky numër është në rritje. Vetëm në kompaninë Meta, sipas Mark Zuckerberg, gjysma e kodit do të shkruhet nga IA brenda vitit.
Kompania Anthropic ka zhvilluar modele që mund të funksionojnë deri në 7 orë pa ndërhyrje njerëzore, çka e bën IA një zëvendësim të drejtpërdrejtë për shumë role tradicionale.
Amodei i bën thirrje publikut që të mos neglizhojë ndikimin e kësaj teknologjie:
“Ky revolucion nuk është si asnjë tjetër. Lëviz më shpejt, ka ndikim më të madh dhe është shumë më i vështirë për t’u kapur.”


