Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar se falë rehabilitimit të lumit të Tiranës, janë shmangur përmbytjet që për vite me radhë kishin goditur zonat pranë shtratit të tij. Në një postim në rrjetet sociale, ai tha se ndërhyrjet në Njësitë Administrative 4, 8, 9 dhe 11 kanë shpëtuar dhjetëra familje nga fatkeqësitë natyrore, ndërsa kanë rritur ndjeshëm edhe vlerën e pronave në zonë.
“Dje lumi i Tiranës merrte përpara ç’të gjente, duke përmbytur edhe shtëpitë pranë Rrugës ‘Siri Kodra’. Sot i kemi harruar ato pamje. Kjo falë punës së jashtëzakonshme për rehabilitimin e skarpateve të lumit, duke larguar çdo ndërtim pa leje brenda shtratit dhe duke investuar për një infrastrukturë moderne që e mbrojti qytetin nga fatkeqësia,” shkruan Veliaj.
Sipas tij, ky është një shembull konkret i investimeve që nuk ofrojnë vetëm zgjidhje emergjente, por transformojnë jetën e përditshme të qytetarëve dhe sjellin zhvillim afatgjatë për kryeqytetin.

