Skerdi Sina, 29-vjeçari që ra në prangat e Policisë së Tiranës pas një ndjekjeje spektakolare, rezulton të jetë i përfshirë edhe në një tjetër ngjarje të bujshme: festën me alkool dhe kokainë të zhvilluar në Astir në janar të këtij viti.
Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, Sina ishte mes personave të identifikuar nga policia për pjesëmarrje në këtë festë të organizuar në një banesë të marrë me qira, ku u raportua për konsum droge, armë dhe dyshime për mbajtje peng të një vajze të re.
Në të njëjtën ngjarje u shpallën në kërkim edhe Ogert Alia, Joni Sadikaj, Arnold Jaho dhe Anduel Alia – të gjithë nga qyteti i Vlorës dhe me precedentë penalë.
Ngjarja mori përmasa shqetësuese pasi një 21-vjeçare, e lidhur me një nga të rinjtë, njoftoi policinë se ishte mbyllur me forcë në banesë. Oficerët dyshojnë se vajza ndodhej nën ndikimin e lartë të alkoolit dhe drogës dhe për këtë arsye mund të jetë izoluar nga pjesëmarrësit e festës.
Një avokate, e pranishme në banesë, ka deklaruar se “një nga vajzat humbi vetëdijen nga alkooli”, duke konfirmuar dyshimet për përdorim të lëndëve narkotike. Policia më vonë gjeti gjurmë të disa pjesëmarrësve në armë tip pistoletë me silenciator, të braktisura në banesë.
E gjithë skena u zbulua pas alarmit të dhënë nga vajza dhe ndërhyrjes së forcave speciale, që çoi në një hetim të gjerë për përdorim droge, armëmbajtje pa leje dhe pengim të lirisë së individit.
Skerdi Sina, i njohur si shok i Aleksandër Sadikajt – i vrarë me eksploziv në vitin 2022 – tashmë përballet me një sërë akuzash që lidhen si me ndjekjen e fundit në rrugët e Tiranës, ashtu edhe me këtë rast të rëndë të abuzimit dhe dhunës ndaj një të reje.


