Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Britanikët u kapën duke shitur drogë në Dhërmi/ “Sunday Mirror”: Rrezikojnë 15 vite burg

    Aksidentoi për vdekje një 59-vjeçar dhe u largua nga vendi i ngjarjes, arrestohet shoferi

    Enada Hoxha mesazh i fortë pas ndarjes: Atyre që shkaktojnë ndarjen e familjeve…

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home
    Rajon

    Nga lavdërimi te dekorimi: Qasja e Kishës Serbe ndaj kriminelëve të luftës

    May 18, 2025

    Nga lavdërimi deri te dekorimi dhe shpallja shenjtorë. Ka shumë shembuj të një qasjeje të tillë të Kishës Ortodokse Serbe dhe përfaqësuesve të saj ndaj kriminelëve të dënuar të luftës nga e kaluara e afërt dhe ajo më e largët.

    “Kisha e sheh historinë përmes një prizmi etnofiletiste [nacionalist], në të cilën pala serbe paraqitet si viktimë e përhershme”, thotë historiani Vladimir Velkoviq.

    Në këtë kontekst, shton ai, mund të interpretohet edhe revizionizmi i luftërave të viteve ’90, por edhe i Luftës së Dytë Botërore.

    “Meqenëse luftërat e viteve ‘90 interpretohen si ‘konflikt i pashmangshëm’ ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, atëherë edhe në histori i kthehen lëvizjeve, figurave dhe konflikteve që i paraprinë atyre luftërave. Në të dyja rastet shmanget roli dhe përgjegjësia e figurave kishtare”, thekson Velkoviq.

    Kisha Ortodokse Serbe nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur me qëndrimin e saj ndaj kriminelëve të luftës nga Lufta e Dytë Botërore dhe luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë gjatë viteve ‘90.

    Qasja e Kishës ndaj bashkëpunëtorëve të pushtuesve

    Deklarata e mitropolitit të Malit të Zi, Joanikije, i cili e përshkroi komandantin çetnik Pavlle Gjurishiq si “një hero të madh me karakter të pathyeshëm”, është vetëm një nga shumë që kanë shkaktuar reagime të ashpra në publik.

    Forcat e Gjurishiqit ishin përgjegjëse për masakra ndaj civilëve myslimanë në veri të Malit të Zi, Sanxhak dhe Bosnjën lindore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u dekorua nga Hitleri me Kryqin e Hekurt për “virtyte ushtarake”.

    “Kjo është ajo që quhet ‘anti-antifashizëm’, për të cilin ka shkruar sociologu Todor Kuliq – ku fashizmi nuk përbën problem për shkak të ideologjisë, por vetëm kur viktimat janë serbët”, thotë Branimir Gjuroviq nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

    Historiani Velkoviq përmend edhe raste të peshkopëve që janë shpallur shenjtorë, ndonëse kanë bashkëpunuar me pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Njëri prej tyre është Irinej Qiriq, që u shpall shenjtor në vitin 2022 me bekimin e patriarkut Porfirije.

    Kisha pretendon se ai shpëtoi 3.000 gra shtatzëna, fëmijë dhe nëna me foshnje nga kampi hungarez i internimit në Sharvar, duke i strehuar në 55 famulli të Vojvodinës. Por, sipas Velkoviqit, kjo fsheh faktin se Qiriq ishte bashkëpunëtor i regjimit hungarez të Miklos Horthyt, i cili e emëroi në vitin 1943 si anëtar të Dhomës së Sipërme të Parlamentit Hungarez – pozitë që e mbajti edhe pas luftës.

    Velkoviq thekson se në Mal të Zi ka edhe shembuj më të rëndë. Një prej tyre është Millorad Vukojiçiq, anëtar i lëvizjes çetnike, i cili u dënua dhe u ekzekutua për krime lufte në Mal të Zi. Ai u shpall shenjtor në vitin 2005.

    Po atë vit, shenjtor u shpall edhe prifti Sllobodan Shilak, i ekzekutuar më 1943 për krime të rënda ndaj popullatës në Plevle. Familjet e viktimave protestuan, por Kisha e mohoi se ata ishin kriminelë lufte.

    “Lavdërimi i krimeve nga Lufta e Dytë Botërore dhe ato nga vitet ’90 është pjesë e një ideologjie që nuk është ndërprerë kurrë”, thotë Gjuroviq.

    Roli i Kishës në luftërat e viteve ’90

    Historiani Velkoviq thekson se Kisha luajti një rol të rëndësishëm në përgatitjen ideologjike të luftërave që nga fundi i viteve ’80. Gjatë konflikteve, kisha u përfshi në propagandë nacionaliste dhe përfaqësuesit e saj mbështetën publikisht qëllimet ushtarake të regjimit të Sllobodan Milosheviqit.

    Një nga shembujt më të komentuar është videoja ku një prift bekon formacionin paramilitar “Shkorpionët” para se të ekzekutonin gjashtë civilë nga Srebrenica në Tërnovo, në korrik 1995.

    “Disa peshkopë u identifikuan plotësisht me anën serbe, duke e justifikuar atë, pa marrë parasysh çfarë ka bërë. Ka një video ku peshkopi Vasilije Kaçavenda shkon në Srebrenicë në korrik 1995”, kujton Velkoviq.

    Kaçavenda kishte lidhje të ngushta me Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin – të dënuar për gjenocid dhe krime lufte në Hagë. Në një video nga gjyqi i Mlladiqit, shihet komandanti Millenko Zhivanoviq duke e informuar Kaçavendën për “operacionin e Srebrenicës”, ndërsa ky i fundit buzëqesh kur dëgjon se minarja e xhamisë është “rrafshuar”.

    Kaçavenda e përshëndeti “gjeneralin trim dhe obiliqët serbë”, duke shtuar: “Po afrohet dita kur shteti serb do të rindërtohet pas betejës së Kosovës.”

    Pozita e tij në Kishë nuk u vu kurrë në pikëpyetje. Ai dha dorëheqje në vitin 2013 për arsye shëndetësore, pikërisht kur ndaj tij dolën akuza për pedofili.

    Akuza të ngjashme rëndonin edhe mbi peshkopin tjetër, Filaretin, i cili në vitet ’90 pozonte me armë automatike dhe me një kafkë, për të cilën pretendonte se ishte e një fëmije serb të vrarë nga ushtarët kroatë. Ai u largua në vitin 2015, por kisha nuk dha kurrë arsye për shkarkimin e tij.

    Dekoratat për kriminelët e dënuar

    Para se të largohej, Filareti dekoroi me “Engjëllin e Bardhë të Rendit të Parë” Vojisllav Sheshelin, i dënuar nga Gjykata e Hagës me 10 vjet burg për nxitje të përndjekjeve dhe dëbimit të kroatëve nga Hrtkovci në vitin 1992.

    “Zoti ju dha forcën të pastroni njollën nga populli serb. Ne ju ndoqëm dhe ju përgëzojmë për luftën tuaj të guximshme dhe heroike”, i tha Filareti gjatë dorëzimit të dekoratës në vitin 2015.

    Sheshel, ideolog i projektit të “Serbisë së Madhe” dhe organizator i njësive paramilitare, mori edhe një dekoratë tjetër nga mitropoliti i Malit të Zi, Amfilohije.

    “Po jetojmë në kohë padrejtësish të mëdha që bien mbi popullin serb. Ju, zoti Sheshel, jeni një nga mbrojtësit e së drejtës hyjnore”, i tha Amfilohije në dorëzimin e dekoratës.

    Amfilohije, i cili vdiq në vitin 2020, njihej për mbështetjen e hapur ndaj forcave serbe në Kroaci dhe Bosnje gjatë luftërave. Në janar të vitit 1992, ai hapi portat e manastirit të Cetinjës për komandantin famëkeq Zheljko Razhnatoviq – Arkanin dhe njësinë e tij të armatosur.

    Sheshel mori dekoratën e tretë më 2022 nga peshkopi Irinej, përfaqësues i Dioqezës së Novogracanicës dhe Amerikës Qendrore dhe Perëndimore.

    Po atë vit, u dekorua edhe gjenerali Vladimir Lazareviq, i dënuar në Hagë për krime kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ai mori dekoratë për “kultivimin e dashurisë për njerëzit dhe vlerave ortodokse”, nga peshkopi Pahomije – i akuzuar për pedofili, i cili në vitin 2024 u gradua në mitropolit.

    Kisha në linjë me pushtetin

    “Sot vijojnë praktikat e mohimit dhe revizionizmit, të cilat udhëhiqen nga institucionet shtetërore, por kanë rrënjët në rolin që pati kisha në luftërat e viteve ’90”, thotë Gjuroviq.

    Si pushteti, ashtu edhe kisha e mohojnë gjenocidin ndaj më shumë se 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë dhe krimet e tjera të forcave serbe.

    Para se të nisej për në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2024, presidenti i Serbisë mori “bekimin” e patriarkut Porfirije për të kundërshtuar Rezolutën për Srebrenicën.

    Edhe pas luftës në Kosovë, kisha mbështet politikën shtetërore të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës. Ish-patriarku Irinej pati thënë se “trashëgimia serbe duhet mbrojtur me të mirë apo me forcë”. Ndërsa patriarku aktual Porfirije deklaroi më 2024 se “Kisha Ortodokse Serbe nuk mund të jetë pjesë e negociatave apo marrëveshjeve politike për Kosovën”.

    Pozita e kishës është pjesë e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 2023.

    Në të njëjtin vit, kisha u përball me akuza se në objektet e saj në Kosovë ruheshin armë të kontrabanduara – akuza që i mohoi.

    Pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në shtator 2023, një grup serbësh të armatosur, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq, u strehua në Manastirin e Banjskës.

    Dioqeza e Rashkë–Prizrenit atëherë lëshoi një deklaratë duke shprehur shqetësim për “hyrjen e një grupi të armatosur dhe të maskuar me automjet të blinduar që theu portën e mbyllur të manastirit”.

    Kisha refuzoi ofertën e institucioneve të Kosovës për të financuar riparimin e dëmeve në manastir./REL

    Humbën rrugën në Karaburun, policia ndihmon 2 turistët kanadezë

    Ishin më të dashuruar se kurrë/ Robert Berisha i jep fund lidhjes me Anën?

    Kisha Ortodokse Qasja e Kishës Serbe
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Britanikët u kapën duke shitur drogë në Dhërmi/ “Sunday Mirror”: Rrezikojnë 15 vite burg

    June 15, 2025

    Aksidentoi për vdekje një 59-vjeçar dhe u largua nga vendi i ngjarjes, arrestohet shoferi

    June 15, 2025

    Enada Hoxha mesazh i fortë pas ndarjes: Atyre që shkaktojnë ndarjen e familjeve…

    June 15, 2025

    Goditi me sende të forta të moshuarin gjatë një konflikti, arrestohet 33-vjeçari

    June 15, 2025
    Mos e humb
    Fokus June 7, 2025

    Si u tallën punonjësit me Fatos Nanon në Athinë, profecia që i tha grekja në Hotel: Ja çdo u ndodhë shqiptarëve

    Nga Marko Caka, Nju Jork Në pranverën e 2003 në kryeqytetin grek të Athinës zhvillohej…

    Kjo e sotmja nuk është vetëm një ndeshje futbolli…dhe një fotografi e Vuçiç me “Isa Boletinin” ne Tiranë

    Me aeroplanë druri kundër nazistëve, legjenda e “Shtrigave të natës”

    “Pilotët të trajnohen nga shqiptarët”/ Zbulohen letrat, Partia Komuniste Greke kërkoi ndihmë nga diktatori Hoxha

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: [email protected]
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Horoskopi/ Parashikimi i yjeve për ditën e sotme, 15 Qershor 2025

    Shenjat më karizmatike të horoskopit? Ja kush magjeps me prezencën e vet!

    Shpirt hakmarrës dhe posesiv/ Këto janë 3 shenjat më xheloze të horoskopit

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.