Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, drejtuesit e mjeteve me historik negativ aksidentesh do të paguajnë më shumë për sigurimin e makinës, ndërsa ata pa shkelje do të përfitojnë ulje të tarifës.
Drejtuesja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, theksoi se sistemi bonus-malus synon ndërgjegjësimin e shoferëve dhe rritjen e përgjegjësisë në drejtimin e mjeteve.
“Nuk ekziston një model i përshtatshëm për çdo vend. Këto janë faktorë minimalë që mund të zgjerohen për çdo kompani sigurimi. Nuk është perfekte, por është një hap i madh për të ndryshuar perceptimin e qytetarëve dhe për të inkurajuar kujdesin në rrugë,” tha Kaçi. Ajo shtoi se nëse incidenca e dëmeve në vend arrin 3.8%, vetëm 3.8% e drejtuesve do të penalizohen, ndërsa të tjerët do të përfitojnë bonus.
Në lidhje me sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmeti, Kaçi theksoi se është i domosdoshëm për shkak të rrezikut të lartë në Shqipëri. “Ky është një sigurim minimal, i cili mund të plotësohet nga qytetarët me mbulim shtesë sipas nevojës,” tha ajo.
Gjithashtu, drejtuesja e AMF njoftoi se gjatë këtij viti do të publikohet për Konsultim Publik projektligji që rregullon përdorimin e kriptovalutave në vend. Mungesa e një ligji për këtë treg ka qenë shqetësim, veçanërisht pas sekuestrimit të rreth 11 milionë euro kriptomonedha nga Prokuroria e Posaçme në vitin 2024.


