“Uau,” u përgjigj Trump me habi. “Kjo është shumë domethënëse, që vjen nga ana juaj.” Trump tha, se propozimi ishte diçka e re për të. Presidenti amerikan e ka përshkruar prej kohësh veten si paqebërës dhe e ka bërë të qartë dëshirën e tij për Çmimin Nobel.
Netanjahu: Bisedime mbi zhvendosjen e palestinezëve
Trump dhe Netanjahu kanë biseduar gjithashtu për zhvendosjen e mundshme të palestinezëve. Kryeministri izraelit tha, se Izraeli po punon me SHBA-në për të gjetur vende që ofrojnë një të ardhme më të mirë për palestinezët. “Nëse njerëzit duan të qëndrojnë, mund të qëndrojnë. Por nëse duan të largohen, duhet të jenë në gjendje të largohen.” I pyetur për planet për zhvendosjen e palestinezëve, Trump tha se kishte bashkëpunim të mirë me vendet fqinje të Izraelit.
Lidhur me statusin aktual të bisedimeve jo të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Hamasit për arritjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve, Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, i cili ishte i pranishëm në darkën e Trump dhe Netanjahut, tha se ekziston mundësia për të arritur një marrëveshje shpejt. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Witkoff do të udhëtojë këtë javë në kryeqytetin e Katarit, Doha, për të marrë pjesë në bisedimet e ndërmjetësimit.
Trump njoftoi gjithashtu se ka bisedime të administratës së tij me Iranin. “Ne kemi planifikuar bisedime me Iranin dhe ata e duan këtë,” tha Trump. “Ata duan të flasin.” Sipas të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Witkoff, takimi midis përfaqësuesve të SHBA-së dhe Iranit mund të zhvillohet javën e ardhshme. Trump sugjeroi heqjen e sanksioneve kundër Iranit në një datë të mëvonshme./DW


