HIMARË– Ditën e nesërme datë 4 Gusht, banorët e Himarës do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakun e ri.
Zgjedhjet në Bashkinë e Himarës pritet që t’i japin zgjidhje një beteje 15 mujore për udhëheqësin e tyre, një sagë që nisi me arrestimin e Fredi Belerit dhe më pas edhe të kryetarit në detyrë, Jorgo Goro.
Materialet zgjedhore kanë mbërritur në Himarë prej ditës së djeshme, ndërkohë KQZ do të bëjë shpërndarjen e tyre orët e para të mëngjesit me qëllim që qendrat e votimit të jenë gati në orën 07:00 të së dielës. Në Himarë do të aplikohet vetëm identifikimi elektronik dhe qendrat e votimit do të jenë të monitoruara me kamera. Pas mbylljes së votimit pritet të nisë edhe numërimi i votave.
EMRAT E DY KANDIDATËVE PËR BASHKINË HIMARË:
Petro Gjikuria është prezantuar zyrtarisht si kandidat i partive opozitare më datë 17 korrik, gjatë një tubimi elektoral me banorë të zonës.
Emri i Vangjel Tavos ishte përmendur më herët, por kandidatura e tij u zyrtarizua vetëm pasi ai dha dorëheqjen nga detyra e Prefektit të qarkut Vlorë.
Sa i takon historisë së Bashkisë Himarë, ajo është bërë kryefjala e një konflikti të madh politik që zgjati rreth 15 muaj. E gjitha nisi me zgjedhjet vendore të 2023, ku dy ditë para zgjedhjeve, më 12 maj të 2023, kandidati i opozitës Fredi Beleri u arrestua për korrupsion zgjedhor.


