Pas më shumë se një viti nga arrestimi dhe një procesi gjyqësor maratonë, autorët e dyshuar si bashkëpunëtorë për vrasjen e biznesmenit Nikulaj, në Shëngjin do mësojnë nëse do të ekstradohen apo jo në Shqipëri.
Drejtësia shqiptare është në kërkim të shqiptarit me pasaportë britanike Edmond Haxhia si njeriun, i cili mbërriti shkurtin e 2023 me sebepin e fejesës por faktikisht organizoi planin e vrasjes së Ardian Nikulajt.
Ndërsa për Thomas Mithan, Steven Hunt, Harry Simposon dhe Harriet Bridgeman, Prokuroria e Lezhës është shprehur se ka prova filmike dhe shkencore të pakundërshtueshme se ata u përfshinë në survejimin e viktimës.
Informacionet e tyre për lëvizjen e Ardian Nikulajt në ambientet e restorantit Coral ishin vendimtare në realizimin e ekzekutimit të tij makabër me 6 plumba të qitura nga arma tip TT e Ruben Saraivës, i rekrutuar në Angli për të ndërmarrë vrasjen.
Menjëherë pas krimit, Saraiva është filmuar mbrëmjen e 19 prillit duke u larguar nga pika kufitare e Kapshticës në drejtim të Greqisë.
Nga shteti fqinj ai u largua për në Marok, nga ku u arrestua dhe u ekstradua në Shqipëri më 31 dhjetor 2023.
Edmond Haxhia bashkë me Thomas MITHAN, Steven HUNT, Harry SIMPSON dhe Harriet BRIDGEMAN do të arrestoheshin në Angli në maj 2023 pas urdhër arresteve ndërkombëtare lëshuar nga gjykata e Lezhës.
“Nëse nesër gjykata do të pranojë kërkesën ekstradimit të shtetit shqiptarë atëherë kjo do të jetë fitorja e parë në përpjekjet për të vënë para drejtësisë këta individë. Por vendimi final do të vijë nga Gjykata e Lartë Britanike. Në tilla kushte, nëse kjo gjykatë do të t’i thotë PO ekstradimit, atëherë të pestë personat e kërkuar për këtë vrasje, do të mund të përballen me drejtësinë shqiptare jo përpara dhjetorit 2024”, thotë gazetari Muhamed Veliu, për Top Channel.
Sipas tij, kjo çështje ka edhe një karakter tjetër. Atë të zbatimit të reciprocitetit.
“Shqipëria ka një rekord të konsoliduar bashkëpunimi me autoritetet britanike si në parandalimin e emigracionit me gomone, po ashtu në luftën me krimin e organizuar. Në të shkuarën në katër raste kur drejtësia britanike ka kërkuar për llogari të hetimeve të atjeshme persona të kërkuar ata janë kapur në Shqipëri e ekstraduar në Britaninë e Madhe. Tani është radha e britanikëve në të dëshmuarin se janë partnerë të Shqipërisë e kur vjen puna për të tilla çështje është respektues i reciprocitetit aq më tepër kur katër britanik erdhën dhe u përfshinë në vrasje në vendin tonë”, thekson gazetari.
Drejtësia shqiptare pret që vendimi të jetë në favor të ekstradimit pas një letër garancie nga kryeprokurori Lezhës Erion Shehaj dhe me firmë të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Është zbuluar se kjo letër garanci është e vlefshme edhe për katër britanikët e kërkuar të ekstradohen. Sakaq, pala mbrojtëse shpreson ta fitojë betejën e bllokimit të ekstradimit me argumentin se në të shkuarën në një rast shteti shqiptar nuk ka respektuar garancinë për një vrasës së dyfishtë ekstraduar nga Britania e Madhe në Shqipëri.
Në ndihmë të mbrojtjes, për të frenuar ekstradimin si ekspert erdhi edhe ish gjyqtari shqiptarë në Strasburg Ledi Bianku, i cili deklaroi se përveç rastit të Artan Mucës ai nuk kishte dijeni të mos realizimit të garancive të dhëna prej shtetit shqiptarë në procese të ngjashme ekstradimi nga Britania e Madhe të të kërkuarve shqiptarë.


