Komisioni Evropian ka shkarkuar një nga zyrtarët e tij të lartë, Henrik Hololei, pas përfundimit të një hetimi të brendshëm disiplinor.
Hololei, shtetas estonez, ishte nën hetim për shkelje të rënda të rregullave që lidhen me konfliktin e interesit, mungesën e transparencës, dyshime për ryshfet dhe shpërndarje të dokumenteve konfidenciale.
“Jam i zhgënjyer, por e pranoj vendimin e Komisionit dhe jam i kënaqur që ky proces i gjatë më në fund ka përfunduar”, deklaroi Hololei për Politico.
Ai kishte mbajtur për vite me radhë pozicione të rëndësishme në Komisionin Evropian, veçanërisht në sektorin e transportit, ndërsa së fundmi shërbente si këshilltar në Drejtorinë e Përgjithshme për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Sipas dokumenteve të cituara nga Politico, më 21 mars 2025, Hololei u njoftua zyrtarisht për nisjen e procedurave disiplinore ndaj tij.
Hetimi u hap pas akuzave për korrupsion të raportuara fillimisht nga gazeta franceze Libération, sipas të cilave Hololei dyshohet se ka ndarë informacione konfidenciale lidhur me një marrëveshje të madhe aviacioni me Katarin, duke përfituar në këmbim dhurata dhe favore.
Akuzat u mbështetën në gjetjet konfidenciale të një hetimi të vitit 2023 nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), i nisur pas zbulimeve të publikuara nga Politico.
Pa përmendur emra, zëvendëspresidentja ekzekutive e Komisionit Evropian, Henna Virkunen, deklaroi se procedurat disiplinore ndaj një zyrtari të lartë kishin përfunduar. Më pas, disa zyrtarë të Komisionit konfirmuan për Politico se bëhej fjalë për Henrik Hololei dhe se vendimi përfundimtar ishte shkarkimi i tij.
“Procedura konstatoi se zyrtari në fjalë ka shkelur rregullat në fuqi”, tha Virkunen, duke shtuar se Kolegji i Komisionerëve vendosi të marrë masa të përshtatshme disiplinore.


