Një 27-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të vrasjes është arrestuar nga autoritetet shqiptare.
I riu kërkohej nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Bashkuar, të cilat ndaj tij kishin caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda vunë në pranga shtetasin A. M., 27 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pas kërkesës së autoriteteve britanike për veprën penale “vrasja”.
Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me homologët britanikë, me qëllim përfundimin e procedurave ligjore për ekstradimin e 27-vjeçarit drejt Mbretërisë së Bashkuar.


