Ozzy Osbourne, ikonë e muzikës heavy metal dhe vokalisti legjendar i grupit britanik Black Sabbath, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. I njohur si “Princi i Errësirës”, Osbourne ndërroi jetë mëngjesin e sotëm i rrethuar nga familja, siç u bë e ditur nga një deklaratë zyrtare:
“Me më shumë trishtim sesa mund të shprehin fjalët, njoftojmë se Ozzy ynë i dashur ka ndërruar jetë. Ai ishte me familjen dhe i rrethuar nga dashuria. U kërkojmë të gjithëve të respektojnë privatësinë tonë në këtë kohë.”
Këngëtari kishte vuajtur prej kohësh nga probleme shëndetësore dhe vetëm disa javë më parë u rikthye në skenë për një koncert lamtumire me Black Sabbath në Birmingham, vendlindja e tij dhe e grupit legjendar. Ky koncert, i fundit në karrierën e tij, mblodhi mbi 140 milionë paund për bamirësi dhe u ndoq nga mijëra të pranishëm dhe miliona të tjerë online.
I lindur si John Michael Osbourne më 3 dhjetor 1948 në Aston të Birminghamit, ai braktisi shkollën në moshën 15-vjeçare dhe punoi në profesione të ndryshme, derisa formoi bendin e tij së bashku me shokun Geezer Butler.
Black Sabbath, i themeluar në vitin 1968, revolucionarizoi skenën muzikore me këngë si “Paranoid”, “War Pigs” dhe “Iron Man”, duke u bërë pararendës të muzikës heavy metal.
Pasi u largua nga grupi në vitin 1979, për shkak të përplasjeve me anëtarët e tjerë, Osbourne nisi një karrierë solo të jashtëzakonshme. Kënga “Crazy Train” u bë një nga hitet e tij më të mëdha, ndërsa albumet e tij solo e vendosën në majat e suksesit botëror.
Shfaqjet e tij në skenë u shoqëruan shpesh me momente të bujshme, përfshirë episodin famëkeq në vitin 1982, kur gabimisht kafshoi kokën e një lakuriqi nate, duke menduar se ishte lodër.
Në fillim të viteve 2000, Ozzy dhe familja e tij fituan famë edhe në ekranin televiziv me reality-show-n “The Osbournes”, ku publiku ndoqi jetën e tyre në Los Angeles, mes humorit dhe kaosit.
Trashëgimia e Ozzy Osbourne mbetet e pashlyeshme në botën e muzikës. Ai la pas gruan e tij Sharon, fëmijët e tij dhe miliona fansa në mbarë botën. Në vitin 2026 pritet të publikohet një film koncertesh që do të përkujtojë jetën dhe karrierën e tij.
Një epokë mbyllet me ndarjen nga jeta të një legjende që i dha zë errësirës dhe shpirt rock-ut.


