Ngrihet alarmi i kuq nga Aleanca e Atlantikut të Veriut. Sulmi rus kundër vendeve të NATO-s besohet se do të jetë shumë afër.
Planifikuesit e aleancës veriatlantike ndodhen në një situatë të vështirë pasi NATO ka disa mangësi përballë Rusisë. Një burim nga NATO tha për Reuters, se një pushtim i plotë rus nuk është thjesht hipotezë.
“Evropa do të duhet të përgatitet dhe të lëvizë trupat e gatshme deri në vijën e frontit të mundshëm në përgjigje të lëvizjeve ushtarake ruse nëse është e nevojshme, si një pengesë, por gjithashtu të fillojë betejën menjëherë nëse tensionet kthehen në luftë”, tha një zyrtar i NATO-s për Reuters.
Një tjetër burim ushtarak ka folur për një skenar më të frikshëm për Europën. Reuters tha se forcat ruse mund të synojnë bazën ajrore amerikane në Ramstein në Gjermaninë jugperëndimore, ose portet e Detit të Veriut, përmes të cilave forcat e NATO-s do të duhej të zhvendoseshin në Poloni.
Por Europa përballet me disa vështirësi. Në një analizë e bazuar kjo në burime diplomatike dhe ushtarake, rezulton se, Europa nuk ka kapacitet të mjaftueshëm hekurudhor për të lëvizur tanket dhe matësit hekurudhor ndryshojnë midis Gjermanisë dhe vendeve ish-sovjetike baltike, që do të thotë se armët dhe pajisjet do të duhet të ngarkohen në trena të ndryshëm. Mangësi të tjera përfshijnë mungesa në mbrojtjen ajrore dhe raketa me rreze të gjatë, numrin e trupave, municionet, dhe mungesën e komunikimeve të sigurta digjitale në fushën e betejës.
Gjetjet tregojnë se NATO përballet me një vonesë për të arritur qëllimet e saj në një kohë kur uniteti i saj mund të testohet nga kufizimet buxhetore midis anëtarëve të lartë evropianë dhe dallimet rreth asaj se sa i ashpër duhet të jetë qëndrimi i saj ndaj Rusisë.


