Në pritje të finales së madhe të Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Inter Milan, që do të zhvillohet sonte në “Allianz Arena” në orën 21:00, qyteti i Mynihut është përfshirë nga një valë incidentesh të dhunshme që kanë tensionuar rëndë atmosferën festive.
Gaz lotsjellës në metro dhe ndërprerje të transportit publik
Një prej ngjarjeve më serioze ndodhi në linjën e metrosë U6, në stacionin “Universität”, ku raportohet se është përdorur gaz lotsjellës brenda njërit prej vagoneve. Frena e emergjencës u aktivizua menjëherë, duke krijuar rrëmujë dhe ndërprerje të qarkullimit në rrjetin e transportit publik. Roja nuk mundi të ndërhynte për shkak të tensionit në rritje.
Tifozë të lënduar në stacionin “Fröttmaning”
Afër stadiumit, në stacionin “Fröttmaning”, situata u përshkallëzua kur disa tifozë të Interit u goditën dhe mbetën të lënduar, madje disa prej tyre u raportuan të mbuluar me gjak. Një gardh sigurie vendosur mes shinave pengoi përplasjet të përkeqësoheshin më tej.
Përplasje fizike dhe hedhje gurësh
Tensionet kulmuan me hedhje gurësh mes tifozëve të dy ekipeve në disa pika kyçe të qytetit, përfshirë edhe stacionin qendror të trenit. Grupi ultras i Interit nisi marshimin drejt stadiumit i shoqëruar nga forca të shumta policie për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
Megjithëse finalja e Champions League pritet të ofrojë spektakël sportiv, incidentet e dhunshme që kanë pushtuar rrugët e Mynihut kanë lënë në hije këtë ngjarje madhore futbolli. Autoritetet janë në gatishmëri të lartë dhe priten masa shtesë sigurie deri në përfundimin e ndeshjes.


