Sëmundja e murtajës së ruminantëve të vegjël është rikthyer sërish në qarkun e Shkodrës, duke shqetësuar autoritetet veterinare. Këtë herë, një vatër e re është identifikuar në fshatin Trush, ku janë prekur 200 dele, rasti i parë që përfshin dele, pasi deri më tani sëmundja kishte prekur kryesisht dhitë.
Për të parandaluar përhapjen e mëtejshme, autoritetet kanë vendosur karantinimin e zonës, duke ndaluar lëvizjen e bagëtive brenda dhe jashtë fshatit. Ndërkohë, pritet që nesër të kryhet asgjësimi i të gjitha krerëve të prekur, sipas protokolleve të sigurisë veterinare.
Shërbimi veterinar ndodhet në terren dhe po kontrollon fermat përreth për të identifikuar raste të tjera të mundshme. Autoritetet u bëjnë thirrje fermerëve për bashkëpunim maksimal dhe njoftimin e menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar.


