Monika Kryemadhi ka ndarë disa detaje interesante për marrëdhënien e saj me kushërirën, këngëtaren me famë botërore Bebe Rexha, gjatë një interviste në emisionin Shqipëria Live.
Teksa komentonte figurat publike që iu shfaqën gjatë emisionit, Kryemadhi u ndal te artistja shqiptaro-amerikane, për të cilën foli me shumë dashuri dhe admirim. Ajo e cilësoi Bebe Rexhën si një person shumë të talentuar, energjik dhe emocional.
“Është shumë funny dhe shumë e mirë. Më pëlqen shumë kënga e saj e re, është ritmike dhe po ecën shumë mirë që kur ka dalë e pavarur. Është shumë e talentuar dhe shumë e dashur. Nga mendja dhe emocionet është si fëmijë. Është e jashtëzakonshme”, u shpreh Kryemadhi.
Me humor, ajo shtoi edhe një detaj nga jeta personale e këngëtares, duke thënë se Bebe Rexha “vdes për një burrë shqiptar”.
Në fund të bisedës, Kryemadhi foli me batuta edhe për aftësinë e saj si “mblese”, duke treguar se ka ndikuar në martesat e shumë personave që kanë qenë pjesë e partisë së saj.
Marrëdhënia familjare mes Monika Kryemadhit dhe Bebe Rexhës është komentuar shpesh në media, pasi ato kanë treguar vazhdimisht afrimitetin dhe raportin e ngushtë që kanë me njëra-tjetrën.


