Qëndrimi me orë të tëra përpara pajisjeve elektronike si dhe çantat me librat e shkollës janë faktorët kryesorë të shtimit të rasteve të fëmijëve me skoliozë, që njihet si deformim i shtyllës kurrizore.
“Faktorët favorizues janë një peshë më shumë se sa duhet, pasi gjatë procesit të rritjes strukturat e trupit nuk janë të formuar. Nëqoftëse ne e mbingarkojmë strukturën, automatikisht mund të dëmtojmë atë. Një çantë shpine më e madhe seç duhet, më e rëndë seç duhet është faktor favorizues. Dhe sugjerojmë fëmijët e prindërit t’i mbajnë çantat në të dy krahët. Po ashtu edhe qëndrimi pa kriter, qëndrimi i papërshtatshëm, dhe me orë të zgjatura para pajisjeve teknologjike ndikon”, shprehet mjeku ortoped përgjatë intervistës për Report.Tv.
Pesha e rëndë e çantave të shkollës është një shqetësim edhe për vetë nxënësit dhe prindërit.
Mjeku ortoped Traumatolog, Abdurrahim Palushi përgjatë intervistës ka ndarë disa këshilla se si prindërit ta dallojnë nëse fëmija i tyre ka probleme me deformimin e shtyllës kurrizore.
“Dy shenjat karakteristike ku mund të dyshoj edhe prindi për konsultën; e para në ballore duhet të kemi një asimetri të supeve, që do të thotë njëri sup më poshtë se tjetri dhe shenja e dytë një dhimbje shpine e vazhdueshme pa një arsye, e pajustifikuar”, shpjegon mjeku.
Skoliaoza është një sëmundje që prek çdo grup-moshë, por ata në moshën e pubertetit dhe djemtë janë më të rrezikuarit.
“Të gjitha grup moshat i prek, por më frekuentja është në moshën 10 derisa përfundon procesi i rritjes. Po të bëjmë një grafik të rritjes të fëmijët, nga mosha 0-10 vjeç grafiku është linear, ndërsa në moshën mbi 10 vjeç rritja është eksponenciale. Ky është momenti që mund të shpërthejnë edhe të kapin edhe format e skoliozës. Nga praktika jonë e përditshme shohim trendin që djemtë kryesisht përpiqen më shumë për trupin e palestruar dhe me forma, të cilët në tentativë për të bërë këtë trupin e bukur abuzojnë me ushtrimet nëpër palestra. Ndaj duhet të bëjnë kujdes, me ngarkesat. Shpesh herë padashje ata dëmtojnë trupin e tyre”, shton më tej mjeku.


