Mjeku kirurg pediatrik Sokol Buba ka folur në emisionin “Diva” në Radar.al për anomalitë kongjenitale te fëmijët dhe rëndësinë e identifikimit të hershëm të problemeve që lidhen me zhvillimin seksual.
Ai theksoi se përcaktimi i seksit te një i porsalindur është një nga aspektet më të rëndësishme menjëherë pas lindjes, sidomos në rastet e fëmijëve me ambiguitet seksual, ku karakteristikat biologjike nuk janë të qarta.
“Është kryesorja, por në një lindje, sa më shpejt, se ne na duket si gjë rutinë gjithmonë, ka të bëjë shumë përcaktimi i seksit. Vërtetë është e vështirë, se kemi dhe ata që quhen fëmijë ambiguitet seksual, por kjo është e vështirë, do një ndarje të shpejtë”, u shpreh ai.
Sipas mjekut, në disa vende europiane certifikata e lindjes lëshohet brenda 48 orëve, çka e bën edhe më të rëndësishëm vlerësimin e saktë mjekësor në rastet e veçanta.
Ai solli si shembull ndikimin psikologjik që mund të ketë një diagnozë e vonuar te një fëmijë që është rritur me një identitet të caktuar gjinor dhe më vonë përballet me ndryshime të mëdha biologjike.
“Mendo sa e vështirë mund të jetë për një fëmijë që është ambig, ai është rritur si djalë dhe në një moshë të caktuar ti do shohësh që nuk ka asnjë prodhim për djalë, do ta kthesh në femër. Është një traumë që lë gjurmë të mëdha”, deklaroi Buba.
Termi “fëmijë ambig” ose “ambiguitet seksual” përdoret në mjekësi për të përshkruar raste kur një i porsalindur ka karakteristika gjenitale ose biologjike që nuk përcaktohen qartë si mashkullore apo femërore.
Kjo gjendje njihet edhe si Çrregullimet e zhvillimit seksual (DSD – Disorders/Differences of Sex Development).
Mund të ndodhë kur organet gjenitale të jashtme nuk janë tipike; hormonet seksuale zhvillohen ndryshe; kromozomet seksuale (XX ose XY) nuk përputhen plotësisht me zhvillimin fizik; ose ka kombinime të ndryshme biologjike që krijojnë paqartësi në përcaktimin e seksit në lindje.
Këto raste janë të rralla dhe kërkojnë vlerësim nga ekipe të specializuara me pediatër, endokrinologë, genetistë dhe psikologë.


