TIRANË– Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka reaguar me një deklaratë lidhur me situatën në Lindjen e Mesme dhe përplasjeve të vazhdueshme në vendet e saj.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria iu ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të shmangin udhëtimet në Lindjen e Mesme.
Veçanërisht u ka bërë thirrje të shmangin çdo udhëtim jo të domosdoshëm, në mënyrë të veçantë çdo udhëtim për arsye turistike në këtë rajon, deri në një njoftim të dytë. Në njoftimin e tyre thuhet se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme.
“Në vijim të komunikimeve të mëparshme lidhur me përshkallëzimin në rajonin e Lindjes së Mesme, dhe në kushtet e pasigurisë dhe paparashikueshmërisë së zhvillimeve, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përsërit thirrjen për qytetarët shqiptarë që të shmangin sa më shumë të jetë e mundur çdo udhëtim jo të domosdoshëm, në mënyrë të veçantë çdo udhëtim për arsye turistike në këtë rajon, deri në një njoftim të dytë. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme.”- thuhet në njoftim./Radar.al


