Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi në Kuvend dy marrëveshje financimi që do të mundësojnë rehabilitimin dhe modernizimin e linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, faza e parë e funksionimit të Korridorit Hekurudhor VIII. Projekti vlerësohet në 120,5 milionë euro dhe konsiderohet një investim strategjik për zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore në vend.
Financimi sigurohet përmes bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian: 30 milionë euro kredi nga BERZH, 30 milionë euro kredi nga BEI dhe 60,5 milionë euro grant nga BE përmes WBIF.
“Segmenti 34-kilometërsh Durrës-Rrogozhinë do të shndërrohet në një linjë moderne hekurudhore, me standarde evropiane dhe kapacitet për shpejtësi më të larta, duke forcuar lidhjen mes portit të Durrësit, zonave industriale, linjës Durrës-Tiranë dhe Aeroportit të Rinasit”, tha ministri Malaj.
Ai theksoi rëndësinë e Korridorit Hekurudhor VIII, që lidh bregdetin adriatik me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke krijuar një rrugë efikase për transportin ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve dhe duke rritur konkurrueshmërinë ekonomike të vendeve të rajonit.
Projekti pritet të ketë ndikim të madh ekonomik, duke mundësuar qarkullimin e rreth 170 mijë udhëtarëve dhe 480 mijë ton mallrash në vit, uljen e kostove të transportit, hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e turizmit në zonat përreth.
Ministri nënvizoi se grantet e BE-së e ulin koston efektive të financimit, duke bërë që norma reale e interesit të rezultojë rreth -3,4%, ndërsa bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë garanton standarde të larta teknike dhe menaxheriale.
Në përfundim, Malaj bëri thirrje për mbështetje të deputetëve, duke i cilësuar projektligjet si thelbësore për proceset integruese dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.


