Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se raketat balistike që Serbia ka siguruar nga Kina kanë karakter sulmues dhe përbëjnë rrezik jo vetëm për Kosova, por për gjithë rajonin e Ballkanit.
Në një intervistë për A2 CNN, Maqedonci tha se blerja e armatimeve nga Serbia nuk është një zhvillim i ri. Sipas tij, Beogradi prej vitesh ka furnizuar ushtrinë me armë nga vende të ndryshme, përfshirë Rusinë dhe Kinën.
Ai theksoi se autoritetet kosovare kanë informacion se Serbia ka blerë prej disa vitesh lloje të ndryshme raketash nga Kina, ndërsa sistemet më të fundit janë të projektuara për operacione sulmuese.
“Raketat e fundit janë të dizajnuara për sulme dhe si të tilla paraqesin kërcënim jo vetëm për Republikën e Kosovës, por për gjithë rajonin e Ballkanit”, u shpreh Maqedonci, duke shtuar se kjo, sipas tij, tregon ambiciet e Serbisë për dominim ushtarak, ekonomik dhe politik në Ballkanin Perëndimor.
Ministri i Mbrojtjes tha gjithashtu se këto zhvillime bien ndesh me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vučić, i cili ka argumentuar se armatosja e Serbisë lidhet me marrëveshjen trilaterale të sigurisë mes Kosova, Shqipëria dhe Kroacia.
Sipas Maqedoncit, ky arsyetim nuk qëndron, pasi blerjet e armatimit nga Serbia kanë nisur shumë më herët se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.
Ai shtoi se furnizimi me armë nga vende që nuk janë pjesë e NATO, i kombinuar me qasjen politike të Serbisë ndaj fqinjëve, mund të ndikojë negativisht në stabilitetin rajonal. Për këtë arsye, ai kërkoi që NATO ta trajtojë me serioz militarizimin e Serbisë dhe zhvillimet e fundit në këtë drejtim.


