Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj do të qëndrojnë në burg, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e arrestit për ta. Dy të dyshuarit akuzohen për futjen e miliona eurove në Shqipëri nga Zvicra, përmes sistemit informal të transferimit të parave të njohur si “Hawala”.
Në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga SPAK, autoritetet zvicerane kanë arrestuar gjithashtu Ervis Ferizajn.
Sipas SPAK, ky sistem që shmang çdo gjurmë bankare, ka përdorur si mbulesë zyra të këmbimit valutor dhe agjenci turistike, duke aplikuar një tarifë prej 6% të vlerës së parave të transferuara.
Hetimet kanë zbuluar se shumat e mëdha të parave të futura në vend në qindra raste gjatë viteve të fundit, dyshohet se kanë origjinë nga aktiviteti i trafikut të drogës në Zvicër. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrjetit dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.


