Rreth 6,000 kamionë me ndihma humanitare nga Kombet e Bashkuara janë ende të bllokuar jashtë Rripit të Gazës, në pritje të miratimit për të hyrë në territorin palestinez.
Philippe Lazzarini, kreu i Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë (UNRËA), shprehu shqetësimin e tij dhe theksoi se shpërndarja e ndihmave duhet të realizohet përmes rrugëve tokësore, duke e cilësuar shpërndarjen ajrore si një opsion joefikas dhe shumë të shtrenjtë. “Hedhjet ajrore janë 100 herë më të kushtueshme dhe shpërndajnë shumë më pak ndihma se sa një kamion,” deklaroi ai.
Pavarësisht përkeqësimit të krizës humanitare, Izraeli ka lehtësuar ndihmën vetëm në një masë të vogël që nga fundi i majit.
Ndërkohë, shpërndarja e ndihmave mbetet nën kontrollin e Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), një organizatë që ka qenë e kritikur për menaxhimin e dobët dhe shpërndarjen e ndihmave përmes pikave që nuk janë të sigurta për popullsinë civile.
Aktualisht, vetëm 100 deri në 200 kamionë mund të kalojnë në Gazë çdo ditë, një shifër që është shumë e ulët për të përballuar kërkesat urgjente të popullsisë, e cila ka nevojë për të paktën 500 kamionë çdo ditë. Nga 2,010 kamionët që janë nisur që nga 19 maji, vetëm 260 kanë arritur pa pengesa, ndërsa pjesa tjetër është bllokuar për shkak të situatës së tensionuar dhe veprimeve të grupeve të armatosura.
Lazzarini theksoi se gjatë armëpushimit të mëparshëm, OKB-ja kishte mundur të dërgonte 500-600 kamionë ndihmash në ditë, duke siguruar mbështetje për gjithë popullsinë e Gazës në mënyrë të sigurt dhe të dinjitetshme. Ai bëri thirrje për rikthimin e kësaj mundësie dhe theksoi se tani është koha që populli i Gazës të marrë ndihmën që ka nevojë, si dhe të krijohet një armëpushim i qëndrueshëm për të mundësuar një shpërndarje efikase dhe të sigurt të ndihmave.
Radar.al


