Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në vendimin që përcakton kriteret e notës mesatare për pranimin në programet universitare, duke riorganizuar listën e programeve që kërkojnë pragje më të larta për aplikim. Megjithatë, për degët e mësuesisë dhe gjuhëve të huaja, notat minimale të kërkuara mbeten të pandryshuara.
Sipas vendimit nr. 520, datë 30 qershor 2026, kandidatët që aplikojnë në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të ciklit të dytë duhet të kenë përfunduar arsimin e mesëm të lartë me notë mesatare minimale 6.5. Për një sërë programesh të veçanta, vijojnë të zbatohen kritere më të larta.
Vendimi përcakton se për programet Bachelor në fushën e gjuhëve të huaja nota mesatare minimale duhet të jetë 7. Në këtë kategori përfshihen degë si gjuhë angleze, frënge, gjermane, italiane, greke, turke, spanjolle dhe programe të tjera të ngjashme që ofrohen nga universitetet publike dhe private.
Ndërkohë, për programet Bachelor që japin akses në programet master në fushën e mësuesisë, nota mesatare minimale mbetet 7.5. Në këtë grup bëjnë pjesë programe si gjuhë-letërsi, matematikë, fizikë, biologji, kimi, histori, gjeografi, informatikë, psikologji, sociologji, si dhe programet për mësues të arsimit fillor.
Po me notë mesatare minimale 7.5 vijojnë të pranohen edhe kandidatët në programet Bachelor për arsimin parashkollor.
Vendimi i ri nuk ndryshon pragjet bazë të notës mesatare, të cilat mbeten 7 për programet e gjuhëve të huaja dhe 7.5 për programet që çojnë drejt profesionit të mësuesit. Ndryshimi kryesor lidhet me riorganizimin dhe ripërcaktimin e listës së programeve që përfshihen në secilën kategori, si dhe me përfshirjen e arsimit parashkollor si kategori më vete me mesatare minimale 7.5.
Kjo sjell një paraqitje më të qartë të degëve që konsiderohen prioritare për formimin e mësuesve dhe specialistëve të arsimit.
Në listën e institucioneve të përfshira janë Universiteti i Tiranës, Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Universiteti “Fan S. Noli”, Universiteti “Eqrem Çabej”, si dhe disa universitete private që ofrojnë programe në fushën e mësuesisë, psikologjisë dhe gjuhëve të huaja. /ekofin.al


