Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të mblidhet të martën, më 23 shtator, për të shqyrtuar kërkesën për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.
Vendimi për nisjen e procedurave u mor gjatë një mbledhjeje të këshilltarëve të Partisë Socialiste në selinë e partisë, ku u diskutua mbi ultimatumet e dhëna më 11 shtator nga kryeministri Edi Rama.
Mbledhja u drejtua nga kreu i këshilltarëve socialistë, Eridian Salianji, dhe kryetarja e Këshillit Bashkiak, Megi Fino. Kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm, pasi ndodhet në Bruksel.
Procedura e shkarkimit bazohet në nenin 62, pika c e ligjit për qeverisjen vendore, që parashikon mundësinë e shkarkimit për mosparaqitje në detyrë për një periudhë tremujore të pandërprerë.
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka gjithsej 61 anëtarë, ndërsa Partia Socialiste disponon 34 vota. Votimi dhe diskutimet pritet të zhvillohen gjatë mbledhjes së së martës.










