Një 40-vjeçar shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë franceze, pasi u kap duke transportuar një sasi të madhe droge me një furgon të ardhur nga Spanja. Mjeti, i regjistruar në Francë, u ndalua në dalje të autostradës në zonën e Céret, ku iu nënshtrua një kontrolli doganor.
Pavarësisht se deklaroi se ishte nisur drejt Marsejës për një pushim të shkurtër, sjellja e drejtuesit ngriti dyshimet e agjentëve, të cilët vendosën të kontrollonin automjetin tip “Ducato”. Rezultatet ishin tronditëse: 15 kg hashash, 63 kg marijuanë, 4 kg kokainë.
Lënda narkotike ishte fshehur në vende të ndryshme të furgonit, ndërsa hetimet zbuluan se automjeti ishte vjedhur në nëntor dhe posedonte dokumente të falsifikuara.
Në seancën gjyqësore, shqiptari pranoi se ishte paguar për të kryer transportin, por pretendoi se mendonte se po dërgonte vetëm hashash. Ai po përballet tani me akuza të rënda për trafik ndërkombëtar droge dhe posedim mjeti të vjedhur.


