Një menaxher banke në Kinë është vënë në qendër të një skandali financiar, pasi dyshohet se ka përvetësuar rreth 45 mijë dollarë duke zëvendësuar kartëmonedhat e vërteta me para lodër me dizajne vizatimore.
Sipas raportimeve, ai ka manipuluar gradualisht arkën e bankës, duke tërhequr paratë reale dhe duke i zëvendësuar me kartëmonedha të pavlera, të cilat në pamje të parë nuk ngritën dyshime të menjëhershme.
Skema u zbulua gjatë kontrolleve rutinë të kryera nga punonjës të tjerë të bankës, të cilët konstatuan mospërputhje në fondet e arkës. Hetimi i brendshëm zbuloi më pas mënyrën se si ishte realizuar përvetësimi.
Autoritetet konfirmuan se dëmi financiar arrin në rreth 45 mijë dollarë, ndërsa menaxheri përballet me akuza për mashtrim dhe shpërdorim detyre.
Rasti ka tërhequr vëmendje për mënyrën e pazakontë të kryerjes së mashtrimit, duke u bërë një nga ngjarjet më të veçanta të raportuara së fundmi në sektorin bankar.


