Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, ka akuzuar Finlandën për “rrugë konfrontimi” kundër Moskës, pas anëtarësimit të Helsinkit në NATO.
“Pas hyrjes në NATO, Finlanda po përgatitet për luftë me Rusinë, nën pretekstin e masave mbrojtëse. Është e dukshme që po planifikon një sulm kundër nesh”, shkroi Medvedev në agjencinë shtetërore ruse, Tass.
Medvedev, aktualisht nënkryetar i Këshillit për Siguri Kombëtare të Rusisë, u shpreh gjithashtu se po formohet një staf për njësi ushtarake në Lapland, pranë kufirit rus. Ai tha se nuk është e qartë “kundër kujt” po krijohen këto struktura, duke theksuar se NATO-ja e ka shpallur Rusinë si armike.
Ky reagim vjen pas ndryshimit të politikës ushtarake të Finlandës pas pushtimit rus të Ukrainës në 2022, kur vendi hoqi dorë nga neutraliteti historik dhe iu bashkua NATO-s, së bashku me Suedinë.


