Revista e njohur irlandeze “Evoke” ka renditur Shqipërinë si destinacionin më të nxehtë turistik në Evropë – dhe të dytin në botë pas Katarit – duke e quajtur “Maldivet e Evropës” për ujërat bruz, rërën e artë dhe çmimet e arsyeshme që e bëjnë një parajsë për pushuesit.
Gazetarët e “Evoke” ndaluan fillimisht në Tiranë, ku përshkruajnë kryeqytetin si “modern, plot jetë dhe me një mikpritje të jashtëzakonshme”. Ata qëndruan në hotelin “Tirana Marriott”, ndërtesa më e lartë në qytet, dhe shijuan një darkë tradicionale shqiptare – me verë, makarona e byrek – për më pak se 60 euro.
Kamerieri i tyre i sugjeroi të vizitonin Sheshin Skënderbej dhe Mozaikun Komunist, të cilat, sipas revistës, “përmbledhin historinë dhe shpirtin e vendit”.
Pas Tiranës, udhëtimi vijon drejt jugut, në Rivierën Shqiptare. Himara përshkruhet si një “perlë e qetë mes maleve dhe detit”, që i ngjason Ishujve Ciklade të Greqisë “para dekadave të zhvillimit masiv”. Gazetarët qëndruan në hotelin familjar “Rea Boutique”, ku “mikpritja, ushqimi i freskët dhe pamjet e mahnitshme të detit” ishin kryefjalë e përvojës.
Në reportazh theksohet se pushimet në Himarë dhe Ksamil janë shumë më të përballueshme se në destinacionet fqinje. Një levrek kushton rreth 12 euro, ndërsa një gotë verë vendase rreth 5 euro.
Temperaturat në fund të tetorit shkojnë deri në 23°C, duke e bërë Rivierën ideale për pushime të vonshme verore.
Destinacioni i fundit ishte Ksamil, i përshkruar si “një xhevahir mesdhetar me ujëra të kristalta dhe ritëm të gjallë jetese”. Revista përmend edhe “efektin Dua Lipa” — këngëtarja me origjinë shqiptare që promovon vendin përmes postimeve të saj për 88 milionë ndjekës në rrjetet sociale.
Artikulli përfundon me një reflektim:
“Ditët e errëta komuniste kanë mbetur pas. Shqipëria është transformuar në një Maldive të re të Evropës – një destinacion që të magjeps me natyrën, historinë dhe mikpritjen e saj.”

