Media britanike “Express” parashikon një shpërthim të vërtetë të turizmit në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si destinacionin evropian me rritjen më të shpejtë të vizitorëve dhe duke theksuar se brenda pak vitesh, numri i turistëve të huaj mund të arrijë deri në 30 milionë.
Në artikull thuhet se Shqipëria po përjeton një bum të fortë turistik, i shoqëruar me ndërtimin e hoteleve të reja, promovimin masiv në rrjete sociale dhe kthimin e plazheve të vendit në ikona për influencuesit. Nga 3 milionë turistë në vitin 2015, shifrat janë katapultuar në rreth 10 milionë në vitin 2023, duke shënuar një rritje 56% më të lartë krahasuar me periudhën para pandemisë. “Express” e rendit Shqipërinë si vendin me rritjen e tretë më të shpejtë të turizmit në botë, pas Katarit dhe Porto Rikos.
Krahasuar me vende të konsoliduara turistike si Kroacia dhe Portugalia, ritmi i rritjes së Shqipërisë konsiderohet më i lartë, duke e bërë atë një ndër historitë më të suksesshme në industrinë globale të udhëtimeve.
Në fokus të artikullit është edhe përfshirja e investitorëve ndërkombëtarë në zhvillimet turistike, përfshirë Jared Kushner dhe Ivanka Trump, të cilët kanë marrë miratimin për ndërtimin e një resorti luksoz me vlerë 1.4 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit.
Megjithatë, rritja e vrullshme nuk vjen pa sfida. Gazetari lokal Uesli Didani thekson për median britanike se turizmi masiv po sjell pasoja për komunitetet bregdetare, përfshirë rritjen e çmimeve, përjashtimin e banorëve nga tregu i pronave dhe vështirësinë në menaxhimin e prurjeve turistike – një fenomen i ngjashëm me atë që ndodh në ishuj si Majorka.
Artikulli përmbyllet me vlerësimin për pasuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë si Syri i Kaltër, Parku i Butrintit, teleferiku Dajti Ekspres dhe bregdeti i Adriatikut dhe Jonit, që e bëjnë vendin një nga atraksionet më premtuese të turizmit në Evropë.


