Kryeministri Edi Rama ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke e cilësuar atë si një strukturë që “më shumë se sa bën mirë, bën dëm”.
Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Rama u shpreh se AKU është kthyer në shqetësimin kryesor jo vetëm për sipërmarrësit në sektorin e bujqësisë, por edhe për restorantet, kafenetë dhe pikat e tregtimit të ushqimeve.
“AKU-ja duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdojë të veprojë, sepse më shumë dëm bën sesa mirë. Duhet pezulluar dhe duhet ngritur një komision i posaçëm për të marrë në analizë të gjitha burimet njerëzore të saj,” – deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se procesi i bashkimit të inspektorateve të ndryshme që janë vendosur me ligj duhet të kalojë përmes një seleksionimi të rreptë të burimeve njerëzore që do të merren me inspektim.
Ai propozoi që në komisionin e posaçëm të përfshihet edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, për të garantuar një vlerësim të thelluar dhe profesional të kapaciteteve njerëzore të AKU-së.
“AKU, në vend që të jetë partneri më i rëndësishëm i sektorit, është kthyer në një pengesë serioze,” – theksoi më tej Rama.


