Një qytetar nga Tropoja ka denoncuar në emisionin “Fiks Fare” një ndërhyrje me lazer të kryer në Indian Eyee Clinic, e cila sipas tij, është realizuar në mënyrë të gabuar dhe i ka rrezikuar seriozisht shikimin.
Qytetari shpjegon se kishte shkuar në klinikë për të operuar syrin e majtë, pasi shikimi i tij ishte vetëm 25%. I siguruar se pas ndërhyrjes shikimi do të përmirësohej deri në 80%, ai pranoi procedurën.
Por pas operacionit, gjendja jo vetëm që nuk u përmirësua, por sipas tij u përkeqësua. Ai pretendon se ka kërkuar disa herë shpjegime dhe zgjidhje nga klinika, madje edhe kthimin e parave, por nuk ka marrë përgjigje konkrete.
Gjatë një bisede me një nga mjeket, qytetarit i është pohuar se mund të ketë ndodhur një gabim gjatë matjes së syrit: ndërhyrja ishte kryer në syrin e majtë, ndërsa shikimi 80% rezultonte në syrin e djathtë. Një mjek i huaj i klinikës i sugjeroi terapi në shtëpi, duke mbajtur syrin e djathtë të mbyllur për orë të tëra, por sipas qytetarit, kjo nuk solli përmirësim.
“Besoj se është ngatërruar syri, se ne këtu e kemi shikimin 80%,” tha mjekja gjatë bisedës, duke shtuar se do të konsultohej me shefin e klinikës. Megjithatë, zgjidhja e dhënë përfundimisht u kufizua vetëm në përdorimin e disa pikave qetësuese.
Qytetari kërkon ndërhyrjen e institucioneve përkatëse dhe paralajmëron se mund të ketë edhe pacientë të tjerë që rrezikojnë të përjetojnë të njëjtin fat:
“Nuk dua ta përjetojë askush tjetër atë që po kaloj unë. Bëhet fjalë për shikimin,” shprehet ai, duke kërkuar përgjegjësi nga klinika.


