Departamenti Amerikan i Shtetit ka falënderuar Kosovën për vendimin e saj për të pranuar përkohësisht një grup emigrantësh që do të largohen nga Shtetet e Bashkuara, derisa të mund të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës vjen si përgjigje ndaj një kërkese të administratës amerikane të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump. Sipas marrëveshjes së konfirmuar nga ambasada e Kosovës në SHBA, Kosova do të pranojë 50 shtetas të vendeve të treta, të cilët nuk janë kosovarë dhe për të cilët vendet e tyre të origjinës nuk kanë pranuar riatdhesimin.
“Ne kemi shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara për trajtimin e kësaj çështjeje në kushte të përcaktuara,” deklaroi ambasada e Kosovës për CBS News, duke sqaruar se vendosja e emigrantëve në Kosovë do të jetë e përkohshme, për aq kohë sa kërkohen zgjidhje për kthimin e tyre të sigurt.
Zyrtarët kosovarë do të kenë të drejtën të përzgjedhin individët nga grupi i propozuar, duke u bazuar në kritere të lidhura me rendin publik dhe sundimin e ligjit.
Nga ana tjetër, DASH ka vlerësuar mbështetjen e Kosovës në këtë përpjekje ndërkombëtare. “Ne i jemi mirënjohës partnerit tonë Kosovë për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga SHBA dhe për lehtësimin e kthimit të tyre të sigurt në vendet përkatëse,” thuhet në deklaratën zyrtare të Departamentit të Shtetit.
Marrëveshje të tilla, ku vende të treta pranojnë përkohësisht emigrantë të dëbuar, përdoren nga SHBA kur vendet e origjinës refuzojnë ose vonojnë riatdhesimin e qytetarëve të tyre – shpesh për arsye politike ose diplomatike.


