Një grua shqiptare 51-vjeçare është dënuar nga gjykata e Cremonës në Itali me dy vite burg dhe 7 mijë euro gjobë, pasi për më shumë se një dekadë kishte përndjekur dhe terrorizuar fqinjët e saj të moshuar.
Sipas dosjes gjyqësore, e pandehura akuzoi vazhdimisht fqinjët për “magji të zezë” dhe i quante “djaj”, duke i fyer, pështyrë dhe shqetësuar me zhurma e sjellje të çrregullta që nga viti 2015. Viktima, 70-vjeçarja Giuseppina, dëshmoi se ajo dhe bashkëshorti i saj – që ndërroi jetë në vitin 2024 – përjetuan një “ferr të përditshëm”.
Përkundër raportimeve të shumta në institucione, nuk u mor asnjë masë parandaluese, ndërsa gjykata vlerësoi se sjellja e gruas përbënte përndjekje sistematike.
Në mbrojtje, e pandehura pretendoi se ishte vetë viktimë dhe se fqinjët i kishin bërë “magji”. Avokati i saj e quajti një “rast i dështimit institucional”, duke theksuar se gruaja kishte nevojë për trajtim psikiatrik, jo ndëshkim penal.


