Më shumë se 40 shtete, përfshirë ShBA, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë dhe Shqipërinë, dënuan me ashpërsi shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë rusë më 9 shtator.
Në një deklaratë të përbashkët, e lexuar nga ministri i Jashtëm polak Marcin Bosacki, theksohet se Rusia kreu 19 shkelje duke rrezikuar jetën e civilëve, infrastrukturën kritike dhe sigurinë ajrore. Autoritetet polake raportuan se dronët u neutralizuan në mënyrë parandaluese.
Për herë të parë në historinë e saj, Varshava kërkoi mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke e cilësuar incidentin si një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një përshkallëzim të rrezikshëm që e afron rajonin me prag konflikti.
Mesazhi i Perëndimit
Në deklaratë, vendet nënshkruese i bënë thirrje Moskës të ndalojë menjëherë luftën kundër Ukrainës dhe provokimet e mëtejshme.
“Përshkallëzimi nuk çon kurrë në paqe. Vetëm respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial mund të hapë rrugën për një paqe të drejtë e të qëndrueshme,” thuhet ndër të tjera.
Trump dhe Tusk në përplasje deklaratash
Presidenti amerikan Donald Trump e relativizoi incidentin duke thënë se “ndoshta dronët rusë hynë gabimisht në Poloni”. Por kryeministri polak Donald Tusk e përjashtoi me forcë këtë mundësi:
“Nuk ka asgjë aksidentale. Ky është një veprim i qëllimshëm i Rusisë. Situata është më serioze se kurrë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës,” u shpreh ai.


