Studentë dhe qytetarë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut kanë dorëzuar këtë të premte në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme një peticion kundër shkarkimit të ambasadorit shqiptar në RMV, Denion Meidani.
Sipas gazetarit të “Macedonia Press” dhe një prej nismëtarëve të peticionit, Nevrij Ademi, janë mbledhur rreth 2 mijë firma në mbështetje të ambasadorit.
Ky është peticioni i dytë i dorëzuar në Ministri, pasi disa ditë më parë ishte dërguar edhe një peticion online me mbi 3 mijë firma.
Studentët kanë kërkuar gjithashtu një takim me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani Hoxha, por sipas kabinetit të ministrit, ai ndodhej në një vizitë zyrtare jashtë vendit.
Në deklaratën e tij, Ademi u shpreh se largimi i Meidanit konsiderohet një goditje për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar mbështetjen që ambasadori ka treguar ndaj tyre.
“Kemi pasur një ambasador që është kujdesur për shqiptarët në RMV dhe largimi i tij në këtë moment, kur studentët janë ngritur për të drejtat e tyre, është një goditje e rëndë”, deklaroi ai.
Sipas Ademit, ambasadori Meidani nuk kishte dijeni për organizimin e peticionit dhe mësoi për të vetëm përmes publikimeve në rrjetet sociale.
Ndërkohë, ende nuk ka një reagim zyrtar lidhur me kërkesën e studentëve për zhvillimin e provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe.


