Administratori dhe katër punonjës të një resorti në Golem kanë përfunduar në pranga, pasi dyshohen se kanë penguar dhe mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ndodheshin në ambientet e biznesit për të kryer kontrolle.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 18 korrik 2026, ndërsa ndërhyrja e policisë është bërë pas kallëzimit të inspektorëve të Tatimeve.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë administratorin e resortit, Saimir Ndreca, 34 vjeç, si dhe shefin e financës Zaho Jacaj, 56 vjeç, shefin e sigurisë Artan Kasa, 56 vjeç, dhe dy punonjësit e sigurisë, Hamid Sula, 64 vjeç dhe Bujar Agolli, 57 vjeç.
Sipas policisë, pesë personat dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë penguar punonjësit e Task Forcës së Tatimeve gjatë ushtrimit të detyrës dhe i kanë mbajtur të mbyllur brenda ambienteve të resortit.
Ata akuzohen për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


