Kryeministri Edi Rama ka dhënë një deklaratë të fortë ndaj ndërtuesve abuzivë, duke paralajmëruar masa të rënda ligjore për ata që kanë mashtruar qytetarët dhe kanë shkelur ligjin në industrinë e ndërtimit.
“Po diskutojmë për mashtrimin e madh, ndaj të cilit janë mbyllur sytë për një kohë të gjatë në shumë pjesë të territorit. Nuk po flasim për banesat që janë ndërtuar për të futur kokën, por për ato që janë ndërtuar për qëllime fitimi,” u shpreh Rama, duke theksuar se situata do të marrë fund me një akt ligjor të ri.
Ai njoftoi se do të miratohet me ligj krijimi i një “liste të zezë” të investitorëve që abuzojnë me qytetarët dhe shkelin rregullat e ndërtimit. Sipas kryeministrit, kushdo që përfshihet në këtë listë, do të humbasë të drejtën për të marrë leje ndërtimi dhe nuk do të mund të operojë më në industrinë e ndërtimit.
“Do të merren masa për një kategori ndërtuesish shumë problematikë, si ata mashtruesit në zonën ku ishim së bashku me ministrin e Drejtësisë, të cilët nuk linin banorët të futeshin në pallat, apo, fatkeqësisht, edhe të tjerë si ata që i lënë blerësit e apartamenteve të tyre në rrugë, pa dokumente hipotekore,” vijoi Rama.
Kryeministri u bëri thirrje ndërtuesve që kanë problematika të hapura që të nxitojnë t’i zgjidhin para se të hyjë në fuqi akti, pasi penalitetet do të jenë të rënda dhe rikthimi në treg do të jetë pothuajse i pamundur.
“Masat do të jenë drastike dhe u bëj thirrje të nxitojnë ta zgjidhin këtë problematikë para se të dalë akti, sepse do të përballen me pasoja të rënda dhe do ta kenë shumë të vështirë. Ne na intereson që të zgjidhet problemi,” përfundoi Rama.


