Një nga sulmet më të rënda ajrore që nga fillimi i pushtimit rus ka goditur kryeqytetin ukrainas, duke shkaktuar të paktën 31 viktima, përfshirë pesë fëmijë, dhe 159 të plagosur, mes tyre 16 fëmijë.
Sulmi, i kryer me mbi 300 dronë dhe tetë raketa lundrimi, shkatërroi një pallat banimi dhe dëmtoi rëndë infrastrukturë civile, përfshirë një spital, shkollë, çerdhe dhe një universitet. Kievi ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të viktimave.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi menjëherë duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë dhe për “presion maksimal” mbi Kremlinin. Ai theksoi se masat ekonomike kanë efekte dhe duhet të përforcohen.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump e dënoi sulmin si një akt “të neveritshëm” dhe paralajmëroi sanksione shtesë, nëse presidenti rus Vladimir Putin nuk pranon një armëpushim brenda afatit të fundit më 8 gusht. Trump, i cili fillimisht dha një afat prej 50 ditësh, ka ngushtuar kohën në vetëm 10 deri në 12 ditë për arritjen e një marrëveshjeje.


