Një 46-vjeçare gjeti vdekjen në një aksident të rëndë në zonën e Milanos në Itali, teksa vajza e saj 9 vjeçe ndodhet në spital e plagosur.
Aksidenti ndodhi rreth orës 14:00 mes Inzago dhe Pozzuolo Martesana, në provincën e Milanos. Viktima është identifikuar si Dorina Bardhi, rezidente në Truccazzano (Milano).

Gruaja ishte në timon kur papritur humbi kontrollin e makinës dhe u përplas kokë më kokë me një mjet të tonazhit të rëndë që vinte nga ana e kundërt. Automjeti gjysmë i shkatërruar, u gjet nga zjarrfikësit në anë të rrugës, në një zonë të gjelbëruar pranë një pylli.
Dorina Bardhi ka ndërruar jetë menjëherë (përpjekjet për rianimim nga ekipet e shpëtimit kanë qenë të kota), ndërsa vajza e saj 9-vjeçare që po udhëtonte me të ka pësuar lëndime të rënda. Zjarrfikësit e Detashmentit Gorgonzola kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nxjerrë nënën dhe vajzën e saj të plagosur. Drejtuesi i mjetit të rëndë ka mbetur i padëmtuar. Drejtuesja e makinës ishte me origjinë nga Truccazzano, në provincën e Milanos, një qytet jo shumë larg vendit të aksidentit. Vajza e vogël, vajza e viktimës është transportuar me ambulancë në spitalin e Bergamos.


