Presidenti francez Emmanuel Macron u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që të ulin tensionet dhe të trajtojnë përmes diplomacisë çështjen e lidhur me Ngushticën e Hormuzit.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin polak Donald Tusk, Macron theksoi se qëndrimi i Francës mbetet i pandryshuar dhe se “të gjithë duhet të qetësohen”, duke nënvizuar nevojën për dialog dhe shmangie të përshkallëzimit.
Ai shtoi se Franca nuk është objekt i drejtpërdrejtë i zhvillimeve në Ngushticë, pavarësisht tensioneve të fundit mes Iranit dhe SHBA-së, përfshirë incidentet me anije në zonë.
Situata vjen në një moment kur raportohen masa të ndërsjella presioni mes Uashingtonit dhe Teheranit për kontrollin e lëvizjeve detare, ndërsa përpjekjet diplomatike ndërkombëtare po synojnë të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.
Në këtë kontekst, janë përfshirë edhe ndërmjetës rajonalë, përfshirë shefin e ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, i cili ka luajtur rol në komunikimet mes palëve dhe ka paralajmëruar për ndikimin negativ të bllokadave detare në negociata.


