Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se ka paralajmëruar Kinën për vendosjen e tarifave të reja nga Bashkimi Evropian, nëse Pekini nuk ndërmerr hapa për të ulur suficitin e madh tregtar me BE-në. Deklaratat u publikuan të dielën, më 7 dhjetor, në një intervistë për gazetën franceze Les Echos, pas vizitës së tij zyrtare në Kinë.
Macron tha se gjatë bisedimeve i ka komunikuar Pekinit qëndrimin evropian:
“U thashë atyre se nëse nuk reagojnë, ne evropianët do të detyrohemi të marrim masa të forta në muajt e ardhshëm. Këto masa mund të modelohen sipas hapave të Shteteve të Bashkuara, siç janë për shembull tarifat mbi produktet kineze.”
Sipas Les Echos, deficiti tregtar i BE-së me Kinën ka tejkaluar 300 miliardë euro në vitin 2024. Politikat tregtare, përfshirë tarifat, përcaktohen nga Komisioni Evropian dhe jo nga vendet individuale, çka e vështirëson krijimin e një qëndrimi të unifikuar brenda bllokut.
Macron pranoi se gjetja e konsensusit është sfidë, duke nënvizuar se Gjermania — ekonomia më e madhe e BE-së, me investime të thella në tregun kinez — “nuk është ende plotësisht në përputhje me qëndrimin tonë”.
Ai akuzoi Pekinin se po synon të dëmtojë industrinë evropiane:
“Kina dëshiron të shpojë zemrën e modelit evropian industrial dhe inovativ, i cili historikisht është bazuar në mjetet e makinerive dhe automobilat.”
Macron tha gjithashtu se proteksionizmi amerikan ka shtuar presionin mbi Evropën. Administrata e Donald Trump vendosi këtë vit tarifa deri në 57% për produktet kineze, të cilat u ulën më pas në 47% pas një marrëveshjeje dypalëshe në tetor.
Sipas Macron, këto masa kanë bërë që Kina të ridrejtojë “masivisht” produktet që më parë synonin tregun amerikan, drejt Evropës.
“Ne jemi të bllokuar në mes sot. Kjo është një çështje jete a vdekjeje për industrinë evropiane.”, u shpreh ai.
Gjatë vizitës në Kinë, Macron tha se BE-ja duhet të jetë më e hapur ndaj investimeve direkte kineze, për të balancuar deficitin tregtar:
“Nuk mund të importojmë gjithmonë. Kompanitë kineze duhet të vijnë në Evropë,” deklaroi ai, duke paralajmëruar se këto kompani nuk mund të lejohen të sillen si “grabitqarë” me “objektiva hegjemonike”.
Presidenti francez bëri thirrje që BE-ja të mbrojë sektorët e saj më të ndjeshëm, si industria e makinave, duke kombinuar mbrojtjen tregtare me nxitjen e konkurrueshmërisë.


