Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë përditësuar situatën e krijuar nga moti i keq, duke njoftuar se në pjesën më të madhe të vendit ka nisur përmirësimi i kushteve meteorologjike. Strukturat e OSHEE, ujësjellës–kanalizimeve dhe Forcat e Armatosura po vijojnë punën në terren për të riparuar dëmet e shkaktuara nga reshjet intensive.
Fieri mbetet qarku më i prekur. Edhe pse niveli i lumit Seman vazhdon të jetë brenda argjinaturave, ai ka dalë nga shtrati, duke përmbytur tokat bujqësore në fshatrat Imësht, Seman dhe Suk. Po ashtu, janë marrë masa për njoftimin e njësive përgjatë rrjedhës së lumit Vjosa, ndërsa akset rrugore nacionale dhe rurale raportohen si të kalueshme.
Lezha dhe Durrësi në përmirësim. Në Lezhë po punohet me mjete të rënda në argjinaturën e Lagunës së Vainit dhe në disa segmente rrugore rurale. Furnizimi me ujë është normal dhe lumenjtë Drin e Mat paraqesin tendencë rënieje. Në Durrës, për shkak të reshjeve me intensitet të ulët, lumenjtë nuk kanë shënuar rritje, ndërsa vijon pastrimi i kanaleve të kullimit dhe forcimi i argjinaturave.
Vlora dhe Dibra drejt stabilizimit. Në Vlorë, situata është më e qetë, ndërsa Forcat e Armatosura dhe strukturat vendore po punojnë në disa akse dhe zona problematike. Në Dibër vazhdojnë ndërhyrjet për hapjen e rrugëve dhe përrenjve që rrezikojnë banesa, por furnizimi me energji dhe ujë është normal.
E njëjta situatë në qarqet e tjera. Në Shkodër, Beratit dhe Korçë po raportohet përmirësim gradual, ndonëse disa toka bujqësore mbeten nën ujë. Edhe në Gjirokastër, niveli i Vjosës është nën pikën kritike dhe pritet ulje e mëtejshme. Në Elbasan një familje do të evakuohet si masë sigurie, ndërsa në Tiranë dhe Rrogozhinë pritet stabilizim i plotë.
Ministria e Mbrojtjes thekson se situata mbetet në monitorim të pandërprerë dhe ekipet e emergjencës janë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.


