Ukraina është e gatshme të tërhiqet nga kërkesa për anëtarësim në NATO, nëse Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane ofrojnë garanci të mjaftueshme dhe konkrete sigurie në kuadër të bisedimeve për një marrëveshje paqeje, deklaroi të dielën presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Gjatë një bisede me gazetarët, të cituar nga Financial Times, Zelenskyy sqaroi se Kievi po kërkon garanci dypalëshe sigurie me SHBA-të, të ngjashme me parimin e Nenit 5 të NATO-s, si dhe angazhime sigurie edhe nga partnerët evropianë dhe vende të tjera aleate, përfshirë Kanadanë, Japoninë dhe shtete të tjera.
Sipas tij, Ukraina dhe liderët evropianë janë duke punuar mbi një plan paqeje prej 20 pikash, të hartuar nga SHBA-të, i cili parashikon edhe lëshime territoriale ndaj Rusisë. Zelenskyy bëri të ditur se deri më tani nuk ka marrë një përgjigje nga Shtëpia e Bardhë lidhur me ndryshimet e propozuara nga pala ukrainase në këtë plan.
Deklaratat e presidentit ukrainas vijnë në një moment kur zyrtarë të lartë nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca po diskutojnë propozime për përfundimin e luftës në Ukrainë, përpara një takimi të nivelit të lartë që pritet të zhvillohet të hënën mes udhëheqësve të këtyre vendeve.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, pritet të takohet me Zelenskyy-n, i cili do të zhvillojë gjithashtu një vizitë në Berlin, ku do të pritet nga kancelari gjerman Friedrich Merz.


